Të diplomuar dhe të papunë/Si po diskriminohen të verbërit në Kosovë

Kompanitë kosovare hezitojnë të punësojnë personat e verbër edhe pse janë të kualifikuar me shkollim universitar dhe me gradat më të larta në arsimin e lartë.

Që nga vitit 2016 kur ka diplomuar, Ardian Sopa nga Llapushniku i Drenas është në kërkim të një vendi pune. Si person me pengesa në të pamur, ai e ka vështirë të gjejë një vend pune, pasi kompanitë private, siç shprehet Sopa nuk duan të punësojnë persona të verbër, kurse në institucionet shtetërore nepotizmi dhe njohjet partiake ia kanë vështirësuar dhe më shumë punësimin kësaj kategorie.  

Për të ardhur deri te diplomimi, një person i verbër, ai rrëfen sesi se së pari duhet të kalojë nëpër plot pengesa e vështirësi, që shoqëria kosovare nuk ka punuar t’i tejkaloj. Sopa thotë se vendosi që të mbarojë studimet universitare, ndonëse e dinte se familja e tij ngarkohej financiarisht për shkak se motra  e tij duhej ta shoqëronte vazhdimisht rrugës për në fakultet. Mirëpo, besonte se një ditë kur të diplomohej nuk do të ishte më barrë për familjen, madje planifikonte dhe ta ndihmonte atë. Përballja e parë me realitetin për të dhe të tjerë të rinjë të verbër kosovar që duan të ulen në amfiteatrot universitare dhe nuk e prisnin, është mungesa e librave.

Studentët e verbër ai thotë se nuk kanë libra me alfabetin Brain.

“Incizimi apo zërimi i librave mungon. Në fakultet ku kam studiuar për administrim biznesi ndonëse fillimisht na u tha kur u regjistruam se do të kishim literaturë, nuk e mbajtën fjalën. Pak profesorë në fakultet na kanë incizuar librat”, thotë ai për Dijasot. Për të mos ndërprerë studimet, ai thotë se shoku i tij po ashtu me probleme në shkim, Gëzimi, udhëtonte në Pejë deri 4 herë në javë që të incizonte aty me ndihmën e profesorëve të shkollës “Xheladin Deda” librat universitare.

“Askush nuk i do personat e verbër të diplomuar që t’i punësojë”

Pas tejkalimit të sfidave për t’u diplomuar një person i verbër në Kosovë, ai tregon se përballet pastaj me fazën tjetër, atë të injorimit gjatë kërkimit të një vendi pune. “Askush nuk i do personat e verbër në kompaninë e tyre”, thotë Sopa, i cili bënë të ditur sesa vende pune ka aplikuar, sikurse në shumë banka dhe kompani për punësim, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje pozitive për punësimin e tij. Ai arriti që të punësohet njëherë në një market në kuadër të masës 1.6 – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në mes të Qeverisë dhe bizneseve.

“Për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, Qeveria zotohet që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë”, njoftoi Qeveria e Kosovës në vitin 2022.

Bazuar në këtë masë, Sopa do të punojë si depoist në një market, por pas përfundimit të këtij 6 mujori, pronari i kompanisë nuk ia vazhdon kontratën dhe ai sërish mbetet i i papunë. “Kompanitë, ne personat e verbër hezitojnë të na punësojnë, ndonëse e patën mundësinë të na shohin me këtë masë të qeverisë se ne jemi të zot të punojmë dhe jemi të kualifikuar, nuk na duan në mesin e tyre”, thotë Sopa.

Shoqata: Mjerim në arsimin universitar, nuk ka literaturë në shkrimin Brain për studentët e verbër

Në ditën ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë që shënohet me 15 tetor, personat e verbër, përfaqësues të shoqatave të tyre, mësimdhënës të kësaj kategorie kërkuan përmirësim të kushteve që jetesa e këtyre qytatarëve në Kosovë të lehtësohet.

Infrastruktura, arsimi dhe punësimi mbetën sfidë për mbijetesë të mijëra personave të verbër në Kosovë, thekson Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës .

Për një person të verbër miliona euro kompensim nuk janë asgjë, nuk kthen shikimin, prandaj sipas tij lehtësimi i kushteve të jetesës është i domosdoshëm.

“Në vendin tonë sfida më e madhe është qasja, duke filluar prej qasjes fizike sepse me të vërtetë infrastruktura që e kemi ne në Kosovë akoma është larg standardeve që duhet t’i kemi “, tha Tishuki duke shtuar se Shkopi i Bardhë për personat e verbër shërben për lëvizjen e lirë që të identifikojnë pengesat.

Punësimi ai thotë se mbetet problemi kryesor për këtë katgeori. Tishuki thekson se çdo kompani është e obliguar sipas ligjit që në kuadër të kuotës për personat me aftësi të kufizuar të punësoj 1 me 5, mirëpo “paragjykimet për personat e verbër po stopojnë zbatimin e këtij ligji. Personat e verbër kanë kryer studimet bachelor, studimet master, dhe janë të papunë”.

Ndërgjegjësimi për të dërguar fëmijët në shkollë në familjet kosovare,ai bënë të ditur se është rritur sidomos me aplikimin e arsimit gjithëpërfshirës. Edhe këtu sistemi çalon. “Nxënësve të verbër në klasat e integruara në shkollat e Kosovës u mbajnë mësim mësimdhënës që nuk janë të trajnuar për alfabetin Brain. Për të verbërit në shkolla të rregullta nuk ka kapacitete, nuk ka pra logjistikë”. Tishuki sqaron se me kushtet e tanishme nuk mund të mbulohet gjithë territori i Kosovës me mësim cilësor për personat e verbër.

“Jo vetëm mësimdhënësit, por dhe asistentet që caktohen në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk e njohin alfabetin Brain dhe as mjejtet mjetet ndihmëse hipoteknike. Ju mungojnë njohurit kur caktohen për fëmijë të verbër”.

Megjithëse, sipas tij, kjo ka zgjidhje. Tishuki thotë se Qendra Burime për Persona të Verbër në Pejë ka kapacitete për këshilla pedagogjike për krejt territorin e Kosovës për të trajnuar mësimdhënësit në alfabetin brain.

Ndërsa, thotë se pajisjet dhe tekstet i mungojnë nivelit universitar. “Në arsimin universitar është mjerim, s’ka literaturë në shrkimin Brain, por veç vullneti i fortë dhe përkrahja e familjarëve bënë që këta të rinjë ta kryjnë fakultetin”, thotë ai për Dijasot.

Në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim në Pejë, Tishuki thotë se ka staf të mjaftueshëm profesional, por nuk ka logjistikë. Kjo shkollë, ai bënë të ditur se ka vetëm një automjet që më shumë u rri në servis për rregullim sesa mund ta përdorin, kurse u duhen së paku 10 automjete për të shpërndarë mësuesit nga një shkollë te tjetra që të mbulohet territori i Kosovës me mësues të kualifikuar për alfabetin Brain.

Makinat elektronike Brain u mungojnë nxënësve në Kosovë

Drejtori i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim/Shkolla “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati që ofron arsim parauniversitar për personat e verbër, tha se aty ofrohet mësim nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë. Ai konfirmon për gazetën se në dispozicion kanë vetëm një veturë për shërbime në terren për mësuesit. Kjo thotë, ai po i kufizon që të shpërndajnë ekipin e mësuesve në shkolla të rregullta ku janë integruar nxënësit e verbër, në mënyrë që të trajnojnë mësimdhënësit. Edhe zbatimi i planit që ekipi i mbështetjes në familje për moshat e fëmijëve 0-6 vjeç dhe institucione parashkollore që të trajnohen edukatorët si dhe prindërit me këta fëmijë, po mbetet sipas Kastratit peng i disa veturave. “Kemi vetëm një veturë në posedim. Me këtë veturë i koordinojmë vizitat gjë që ndikon në reduktimin e tyre”.

“Së paku tri automjete t’i kemi do ta krijonim një bazë për fazën emergjente afatëshkurtër, sepse dhe tri vetura janë të pamjaftueshme, mirëpo do të arrinim të krijonim vizita simbolike profesionale”.

Kjo qendër të kufizuara i ka dhe makinat Brain elektronike (lapsi). Kastrati tregon se posedojnë makina Brain në versionin e vjetër. Ndërsa, versioni i ri elektronik është i kushtueshëm. “Makina Brain elektronike kemi në numër simbolik. Këto janë më të përshtatshme për fëmijët dhe mësuesi në shkollë të integruar e ka më lehtë ta praktikoj dhe kuptoj Brain. Këto makina elektronike krijojnë kushte jashtëzakonisht të mira për edukim cilësor në shkollë të rregullt për nxënësin në integim. Pastaj nuk bëjnë zhurmë dhe memorizohet materiali më lehtë”, thotë Kastrati duke kërkuar që në këtë drejtim të ndihmohen. Ai thotë se megjithë këto kushte, kjo qendër po vazhdon misionin e saj në dobi të mësimnxënësies së fëmijëve të verbër.

Pse shënohet Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë

15 Tetori është Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, e cila simbolizon përpjekjet e qytetarëve të verbër për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe të të drejtave të tyre.

Kjo ditë, daton në vitin 1964 kur Presidenti Amerikan Lindon S Jonson nënshkroi Deklaratën e cila sanksiononte të drejtën e qytetarëve të verbër për të qenë të barabartë dhe të gjithëpërfshirë në shoqëri dhe masat që institucionet përgjegjëse duhet të merrnin për të lehtësuar dhe respektuar kërkesat e këtij komuniteti. /Dijasot