Problemet me tekste shkollore, MASHTI thotë se s’ka ankesa zyrtare

Një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor në shkollat e nivelit fillor në Kosovë vazhdon të ketë probleme me sigurimin e teksteve. Organizatat që monitorojnë arsimin në Kosovë tregojnë se vazhdon të ketë probleme në gjetjen e teksteve, derisa nga ministria e Arsimit thonë se nga komunat nuk kanë pranuar asnjë ankesë zyrtare.

Një hulumtim i organizatës  “ETEA”, që merret me gjendjen në arsim, tregon se furnizimi me tekste shkollore vazhdon të jetë problem në pothuajse tërë Kosovën.

Drejtori i organizatës “ETEA”, Agon  Ahmeti, i tha Radio Kosovës së sipas të dhënave që kanë nxjerrë, mësimdhënësit janë shprehur së mos pajisja e të gjithë nxënësve me tekste shkollore, po e vështirëson procesin mësimor.

“Të dhënat tregojnë se gjendja nuk është e kënaqshme. Një numër i madh i mësimdhënësve deklarojnë se si pasojë e mungesës së teksteve dhe pajisjes së plotë me mjete  shkollore, kanë vështirësi të dukshme në zbatimin e plan programit mësimor. Por edhe aty ku zbatohet plan programi, fëmijët pastaj hasin në  vështirësi në të nxënë për shkak të mungesës së teksteve shkollore”, tha Ahmeti për Radio Kosova

Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur së në  platformën eKosova deri me tani janë pranuar afër dyqind mijë aplikime. Në një përgjigje me shkrim Ministria e Arsimit ka bërë të ditur për Radio Kosovën së grupi punues i MASHTI-t dhe MFPT-së kanë verifikuar dhe proceduar pagesat e 97% të aplikantëve. 

“Deri sot nga platforma eKosova kemi pranuar 191.483 aplikime nga të cilat 111.745 aplikime për klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore si dhe 79.738 aplikime për klasat 6-9 për materiale shkollore“, thuhet në përgjigjën e ministrisë.

Tutje thuhet së problemet që kanë qenë më aplikimet për fëmijët e regjistruar në klasën e parë nën moshën 6 vjeçare, pas kërkesës në [email protected] u është lejuar mundësia e aplikimit.

Në përgjigje thuhet gjithashtu se deri më tani në adresë të MASHTI-t, nuk është  pranuar asnjë ankesë zyrtare nga komunat apo shkollat lidhur me furnizimin e nxënësve me tekstet shkollore, duke thënë se platforma eKosova do të qëndrojë e hapur dhe po ashtu do të mundësojmë edhe aplikimin fizik.