Hapet ekspozita për Nënë Terezën, Begaj-Osmani: Trashëgimia e saj vijon të frymëzojë në mbarë botën

Në mjediset e Presidencës u hap sot ekspozita për nder të Nënë Terezës, në ditën e shenjtërimit të saj.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin Presidenti Bajram Begaj dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sikundër edhe shumë të ftuar, personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave të bamirësisë dhe motra të urdhërit të Nënë Terezës.

Po ashtu ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, drejtuesi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ISHTKSH), Skënder Asani dhe zv. kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës (ASHAK),  Ajet Leci.

Presidenti Bajram Begaj, tha në fjalën e tij se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

“Sot ne mblidhemi këtu për të nderuar shpirtin e jashtëzakonshëm të një shenjtoreje që e jetoi jetën me dhembshurinë, dashurinë dhe në shërbim ndaj njeriut të pamundur, shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Ndërsa ne qëndrojmë këtu në mesin e kësaj ekspozite që paraqet udhëtimin e jashtëzakonshëm të saj, si dhe në iniciativat e reja për të promovuar madhështinë e figurës së saj, le të marrim një moment për të reflektuar mbi ndikimin thelbësor që ajo pati në botë”, u shpreh Begaj.

Sipas Kreut të Shtetit, jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar të mirësisë. Përkushtimi i saj i pandalshëm për të ndihmuar më të dobëtit, shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën.

“Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarve, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’ju dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat”, u shpreh më tej Presidenti Begaj.

Në fund të fjalës së tij Presidenti Begaj nënvizoi se është e rëndësishme që të vazhdohet përpara me trashëgiminë e Nënë Terezës, që përfaqëson vlerat e vetëmohimit, mirësisë dhe të dashurisë në jetë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ndodhet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipërim tha se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën.

“Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shën Terezës është një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke ditur faktin se ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë. Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Përmes këtyre dokumenteve zbërthehet profili i Shën Terezës, thjeshtësia e fjalëve të saj, thellësia e bindjeve dhe fuqia e dashurisë së saj, po ashtu edhe rrënjët e saj shqiptare. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, tha ajo.

Në fjalën hapëse, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terezës, duke sjellë në vëmendje edhe tri dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga DPA-ja gjatë procesit të përpunimit të fondit të ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë.

“Është një figurë shumëdimesionale. Në këtë ekspozitë, ku kemi kontribuar me disa dokumente dhe foto, rrëfehet një panoramë e jetës së saj. Nënë Tereza ishte individ përbashkues. Është evidentuese e bashkimit tonë kombëtar. Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethënës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale”, tha Bido.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, datë kjo që celebrohet si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë në nder të humanistes.

Ekspozita është një bashkëpunim midis tre institucioneve: Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës si dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ekspozita dokumentare dhe fotografike përmban dokumente të rralla, disa prej të cilave të zbuluara kohët e fundit, mbi jetën dhe veprën e Nënë Terezës.

Ekspozita e përgatitur me materiale dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) shpalosi të dhëna me rëndësi lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e humanistes shqiptare, Nënë Terezës. Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë po ashtu informacione mbi vizitën e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989, dorëshkrime që dëshmojnë atdhedashurinë e saj për tokën amë, si edhe vendime të Këshillit të Ministrave për nderimin dhe përjetësimin e figurës së bamirëses së përbotshme.