Për herë të parë në botë, shkencëtarët thonë se një krimb 8 cm i gjatë është gjetur i gjallë në trurin e një gruaje australiane, sipas BBC.
“Struktura e ngjashme me një vargu u tërhoq nga lobi frontal i dëmtuar i pacientit gjatë operacionit në Canberra, vitin e kaluar.
“Padyshim që nuk ishte ajo që prisnim. Të gjithë u tronditën,” tha kirurgia, Dr. Hari Priya Bandi.
Gruaja, 64 vjeçe, kishte vuajtur prej muajsh nga simptoma si dhimbje stomaku, kollë dhe djersitje gjatë natës, të cilat evoluan në harresë dhe depresion.
Ajo u shtrua në spital në fund të janarit 2021 dhe një skanim më vonë zbuloi lezione atipike brenda lobit frontal të djathtë të trurit.
Por, shkaku i gjendjes së saj u zbulua vetëm nga bisturia e Dr. Bandi gjatë një biopsie në qershor 2022.
“Paraziti i kuq mund të kishte qenë i gjallë në trurin e saj deri në dy muaj”, thanë mjekët.
“Rasti i saj besohet të jetë rasti i parë i një pushtimi dhe zhvillimi të larvave në trurin e njeriut”, thanë studiuesit në revistën “Emerging Infectious Diseases”.
“E nxora atë … dhe po lëvizte me kënaqësi”
Neurokirurgu që gjeti krimbin tha se ai kishte filluar të prekte pjesën e trurit që ishte shfaqur çuditërisht në skanime kur e zbuloi atë.
“Mendova, zot, kjo është qesharake, nuk mund të shihje gjë më anormale”, tha Dr. Bandi.
“Dhe më pas arrita të ndjeja vërtet diçka, mora piskatoren dhe e nxora dhe mendova, “Zot! Çfarë është kjo? Po lëviz! Të gjithë ishin të tronditur. Krimbi që gjetëm po lëvizte me gëzim, mjaft energjik, jashtë trurit”, tha Bandi.
Më pas ajo u konsultua me kolegen e saj Sanjaya Senanayake, një eksperte e sëmundjeve infektive, se çfarë duhet të bënte.
“Të gjithë në atë sallë operative u tronditën kur kirurgu mori pincat për të kapur një anomali, dhe anomalia doli që ishte një krimb i gjallë, i kuq 8 cm”, tha Dr. Senanayake.
“Ky është një infeksion i ri i pa dokumentuar kurrë më parë tek një qenie njerëzore”, shtoi ajo.
Studiuesit paralajmërojnë se rasti nxjerr në pah rrezikun e shtuar të sëmundjeve dhe infeksioneve që kalojnë nga kafshët te njerëzit.
Krimbi i rrumbullakët “Ophidascaris robertsi” është i zakonshëm te gjarpërinjtë jo helmues që gjenden në pjesën më të madhe të Australisë.
Shkencëtarët thonë se gruaja ka shumë të ngjarë të ketë kapur krimbin e rrumbullakët pasi mblodhi një lloj bari vendas, zarzavate, pranë një liqeni afër vendit ku jetonte.
Zona është e banuar edhe nga pitonët e qilimave.
Ekipi i ANU raporton se 30 lloje të reja infeksionesh janë shfaqur në 30 vitet e fundit.
Tre të katërtat janë sëmundje zoonotike, infektive që kanë kaluar nga kafshët te njerëzit.
“Kjo tregon se ndërsa popullata njerëzore po rritet, ne afrohemi dhe shkelim habitatet e kafshëve. Kjo është një çështje që e shohim në vazhdimësi, virusi “Nipah” mund të ketë kaluar nga lakuriqët e egër te derrat shtëpiak dhe më pas te njerëzit, nuk ka rëndësi nëse është një koronavirus, Sars ose Mers, është hedhur nga lakuriqët në një kafshë dytësore dhe më pas te njerëzit”, tha Dr. Senanayake.
“Edhe pse Covid tani po largohet ngadalë, është vërtet e rëndësishme për epidemiologët… dhe qeveritë që të sigurohen që kanë një mbikëqyrje të mirë të sëmundjeve infektive”, theksoi ajo. /ATSH