Po fluturojmë pa krih në retë dhe mjegullën e absurdit moral. A thua kah jemi nisur?!

Po konfrontohemi me një fenomen të çoroditur ku respekti dhe aspektet bazike të sjelljeve humane janë animalizuar në atë masë saqë më duket sikur jetojmë në një kontekst shumë difuz të sjelljeve ku nuk respektohen më të vjetrit, të sëmurit, të vobektit. Gjenerata e ardhshme u rrit pa pasur mundësinë të gëzojë të drejtën elementare të emancipimit dhe edukatës.

Shkruan: dr. Sami Dalipi

Kur një popull rikujton historinë e vetë gjene më shumë segmente kohore kur ishte i pushtuar nga okupatorë të ndryshëm se sa faza të shtetformësisë dhe konsolidimit social. Prandaj, nuk duhet të çuditemi që jemi këta që jemi.

Po kush jemi? Jemi shqiptar, kosovarë, gjakovar, preshevar, himarjotë, minoritar, sarandjotë, vlonjat, shkodran, gjilanas apo gillanxhi, llapjan, gegë, toskë…, çka jemi, oh, Zot?!

Një mik i madh imi përsëriste fjalinë: “Lufta zakonisht pastron civilizimet, por ne, si duket, na pe…uti edhe më shumë”.  Me kujtohet koha e bombardimeve kur mundoheshim të mësonim se kush nga të afërmit tonë kishte rënë viktimë, ishte arratisur pa adresë apo humbur për mos tu gjetur më.

Me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, luftën e pashoq të patriotëve tanë, fituam luftën dhe filluam të vallëzojmë të lirë nëpër bulevardet e shkatërruara nga bombardimet. Filluan fjalimet me fjalë të mëdha, dolën fëmijët sërish të luanin lirshëm nëpër rrugë, këngëtaret këndonin e këndonin, secilës viktimë i kushtonin një këngë. Dolen gratë, filloi rituali i ngjyrosjes së flokëve, së paku nga arseni iknin minjtë…vallëzonim pa ndal, këndonim, shijonim lirinë, luteshim që kurrë mos të përsëritet lufta.

Në vend që të ndërtojmë institucionet shtetërore, të ndërtojmë infrastrukturën publike filluam të uzurpojmë pasurinë shoqërore, të pasuroheshim, të shesim e blejmë çka gjenim. Nuk çanim kokën shumë se fqinjët tanë duronin urinë dhe varfërinë e skajshme.

Ecnim përpara dhe përvetësonim kontributet që kishim dhënë për Lirinë. Dikur filluam që Lirinë ta mbajmë vetëm për vete, ta privatizojmë, të edukojmë një gjeneratë e cila duhet të jetojë pa punë, pa sakrificë, por të kërkojë rrugët e shkurtra që shpijnë ke paraja dhe pushteti. Hapem krahët dhe filluam t’i zgjerojmë bërrylat kundër njëri-tjetrit.

Gjenerata e ardhshme u rrit pa pasur mundësinë të gëzojë të drejtën elementare të emancipimit dhe edukatës.

Përkundrazi, po konfrontohemi me një fenomen të çoroditur ku respekti dhe aspektet bazike të sjelljeve humane janë animalizuar në atë masë saqë më duket sikur jetojmë në një kontekst shumë difuz të sjelljeve ku nuk respektohen më të vjetrit, të sëmurit, të vobektit, por që fluturojmë pa krih në retë dhe mjegullën e absurdit moral. A thua kah jemi nisur?!