Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë këtë të hënë në ceremoninë e mbajtur për 70-vjetorin e krijimit të Institutit Albanologjik të Kosovës, ku vlerësoi rolin e këtij instituti, kërkimin shkencor dhe albanologjinë.
“Të merresh me të kaluarën do të thotë të hedhësh dritë për të tashmen dhe të ardhmen”, tha ai.
Gjithashtu në përfundim të ceremonisë, Kurti dha edhe një prononcim të shkurtër për media, ku u pyet nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur prej Josep Borrell në Bruksel, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Kurti u përgjigj se vendimin për të shkuar në takim do ta marrë pas vizitës të shefit të zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari, tek tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.
Shefi i qeverisë në Prishtinë shtoi se Jashari do t’i vizitojë gjatë ditës së nesërme policët në Kralevë dhe në varësi të kësaj vizite do të jetë edhe përgjigjia e tij për takimin e Brukselit.