Kosova lyp ndihmën e Lajçakut e Borrellit për kthimin e artefakteve të vjedhura nga Serbia (VIDEO)

Kosova ka kërkuar “ndihmë” nga Bashkimi Evropian, më saktësisht nga ndërmjetësit e procesit të dialogut me Serbinë, që kjo e fundit të kthejë artefaktet e trashëgimisë kulturore që, sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, mbahen ilegalisht nga Beogradi zyrtar më shumë se dy dekada.

“E kemi një zotim në parim nga ndërmjetësuesi për t’u marrë me këtë çështje. Ky është zhvillim i javëve të fundit dhe ne e kemi bërë edhe një përpjekje në vazhdim për ta adresuar çështjen e kthimit të artefakteve në Kosovë”, tha ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku, raporton Klan Kosova.

Sipa të dhënave të MKRS-së, janë 1247 artefakte të cilat Serbia i mori nga Kosova e i dërgoi në Beograd, menjëherë pas përfundimit të luftës, në qershor 1999.

Ndërkohë fqinji verior, në mbledhjen e së mërkurës të kabinetit qeveritar, u përmend edhe në një çështje tjetër.

U miratua propozim-vendimi për krijimin e grupit punues që harton konceptin e themelimit të Muzeut që dokumenton e prezanton krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ministri për Komunitete e Kthim votoi kundër.

“Kategorizimi në njëfarë mënyre dhe gjeneralizimi i përgjegjësisë në gjithë vendin, mendoj që krejtësisht nuk është adekuate. Mbi të gjitha mendoj se kur përmendet brezat e ardhshëm është shumë domethënëse që nuk duhet të karakterizojmë në atë mënyrë që i gjithë vendi është kriminal”, theksoi Nenad Rashiq, ministër për Komunitete e Kthim.

Por ministri i Kulturës, dikasteri i të cilit e bëri nismën e krijimit të muzeut në fjalë, thotë se Rashiqi nuk ishte mjaftueshëm i informuar dhe se kjo është vetëm faza e parë.

“Edhe vendimi i cili do të jetë publik shumë shpejt, është shumë i qartë dhe i referohet ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pra shteteve –aparateve shtetërore, institucioneve shtetërore, të cilat i kanë planifikuar dhe ekzekutuar këto krime në Kosovë”, deklaroi kreu i MKRS-së.