“Zhduket” Tuma e Kamenicës, arkeologu: Sitet 3000-vjeçare në harresë nga shteti

Tuma e Kamenicës, një nga tumat më të rëndësishme në Shqipëri por edhe në Ballkan sot ndodhet në një gjendje mjerane. Këtu ciceroni mungon, dera është e mbyllur e infrastruktura është tërësisht e dëmtuar.

Një nga gjetjet arkeologjike më të vjetra në vendin tonë është Tuma e Kamenicës, me një rëndësi të veçantë për atë çka ajo mbart.

“Rëndësia është e jashtëzakonshme, të flasësh për Tumën e Kamenicës është një nga sitet me të rëndësishëm jo vetëm në rajonin e Korçës, por edhe në Shqipëri e Ballkan për llojin e saj. Ajo daton nga shekulli 12 deri në shekullin e 6 para erës tonë,”-tha Florenc Cenolli, arkeolog.

Sot, në këtë vendvarrim prehistorik asgjë nuk funksionon. Arkeologu tregon edhe fajtorët për gjendjen në të cilën ndodhet ky monument i trashëgimisë kulturore.

“Pas reformës territoriale, tuma e Kamenicës i kaloi njësisë Mollaj. Kur u be reforma administrative, nuk do shkollë, i kaloi bashkisë së Korçës. Dhe gjithë kjo neglizhencë, të gjitha shigjetat bien mbi Bashkinë e Korçës. Dhe ata akoma nuk marrin mundimin thotë se “Po kjo është e jona, e kemi lënë ne në harresë”,-tha Florenc Cenolli, arkeolog.

“Mirëmbajtja këtu, kur mungon ciceroni, mungojnë punonjësit fizike, i ka direkt Bashkia dhe Bashkia mos fshihet pas kësaj të vërtete të madhe sepse ka 10 vite që rënkon ky muze, për shkak të neglizhencës të bashkisë së Korçës”,-tha Lorenc Cenolli, arkeolog.

Në qoftë se nuk rikthehet vëmendja ndaj këtij siti kulturor, dëmet do të jenë të mëdha, raporton Xhensil Shkëmbi, gazetar i Euronews Albania.

“Patjetër që humbet. Sa me shume te ece, të agravojë gjendja, me keq do të shkojë. Unë jam një nga punonjësit e parë arkeologë që kanë gërmuar këtu, dhe në këtë gjendje nuk ka qenë kurrë, në këtë gjendje ishte me mire para se të gërmonim”,-tha Florenc Cenolli, arkeolog

Kjo është një nga tumat më të mëdha të njohura deri më tani, në të cilën u zbuluan 400 varre, mbetje skeletorë të 430 individëve dhe më shumë se 3500 objekte. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII para erës sonë.