Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, sot, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Sipas saj, Komiteti Ministror, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare të KiE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Mbetet edhe shumë punë për të bërë”, ka shkruar ndër të tjera ministrja Gërvalla.
E menjëherë pasi Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës e dha dritën jeshile për anëtarësim te Kosovës në këtë Këshill kanë reaguar edhe krerët institucional.
Presidentja Vjosa Osmani, ka shkruar se së shpejti edhe flamuri i Kosovës do të valëvitet në Këshillin e Evropës, derisa i ka falënderuar te gjithë aleatët që sot votuan, të cilët sipas saj votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa kryeministri Albi Kurti, ka shkruar se shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës, sepse sipas tij, Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, te drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit ne shtetin tonë.