Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj tha se zhvillimi ekonomik është një prej prioriteteve të qeverisë, ndërkohë që u zotua se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të përkrahet fusha e teknologjisë dhe informacionit në vend.
Për këtë projekt kanë qenë të trajnuar mbi 100 arsimtarë të TIK-ut. Kompania PBC ka implementuar këtë projekt duke trajnuar nxënësit në fushën e teknologjisë dhe informacionit.
Themeluesi i kësaj kompanie, Gazmend Selmani tha se trajnimi i nxënësve nuk ka qenë i lehtë, meqë këtë e ka sfiduar periudha e pandemisë.
“Trajnimet për ne në PBC u shndërruan në një mundësi të veçante që lidhet me ekspertizën tonë, zhvillimet teknologjike dhe mundësitë e industrisë t’i bartin te ata që më së shumti i meritonin, për nxënësit dhe mësimdhënësit. Për ata që e shtuna jo vetëm se ishte ditë pune e ditë mësimi, por ishte edhe pistë dëshire e entuziazmi për t’u aftësuar në fushën e teknologjisë informative dhe të komunikimit. Të tillë ishin mbi 1000, ndërsa trajnuesit tanë nga një anë e Kosovës në anën tjetër, mirëmbanin e rrisnin dëshirën e nxënësve me mundësitë e industrisë për çka jemi shumë mirënjohës”, u shpreh ai.
Trajnuesja Rina Krasniqi derisa ka folur për organizimet e trajnimeve, ka thënë se kanë qenë 3 profesorë ku në këtë komunitet organizativ ishte edhe profesori, Blerim Rexha.
“Ne së bashku shpjeguam trendet më të reja të teknologjisë së informacionit ku pamë se çfarë është teknologjia e informacionit dhe komunikimeve si dhe ndikimet e saj në shoqëri, cilat janë trendet më të reja në teknologjinë e informacionit, çka është intelegjenca artificiale. Tutje, ne kemi vazhduar për ndërmarrësi dhe informacion, ku nxënësit dhe arsimtarët e morën njoftimin për ndërmarrësi në aspektin lokal dhe global”, ka treguar ajo.
Kompania PBC ka ndarë mirënjohje për shkollat fituese për “Fehmi Lladrovci” që i është ndarë vendi i tretë. Vendi i dytë për shkollën “Junuz Zejnullahu”, ndërsa vendi i parë për shkollën “Gjin Gazulli”./ Tch