Të dhënat e fundit: 38,000 fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk vijojnë shkollën

Të dhënat e fundit për vitin shkollor 2019/20, tregojnë se gjithsej 3,903 fëmijë me aftësi të kufizuara, janë të përfshirë në klasat e rregullta dhe 349 në qendrat burimore. Krahasuar me të dhënat me vitet paraprake, vërehet se ka rritje të numrit të nxënësve në shkolla gjithëpërfshirëse dhe zvogëlim të numrit në Qendrat Burimore

Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor në Kosovë mbetet sfidë e madhe në nivel vendi.

Madje, konsiderohen të jenë shumë pak të përfaqësuar brenda sistemit arsimor.

Sipas të dhënave të publikuara në Strategjinë e Arsimit 2022/2026 të përfshirë në shkolla janë afërsisht 2.1% e nxënësve në shkollë, ndërkaq vlerësohen të jenë rreth 15% të popullsisë.

“ Vlerësohet se 38,000 fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk vijojnë shkollën. Të dhënat e fundit për vitin shkollor 2019/20, tregojnë se gjithsej 3,903 fëmijë me aftësi të kufizuara, janë të përfshirë në klasat e rregullta dhe 349 në qendrat burimore. Krahasuar me të dhënat me vitet paraprake, vërehet se ka rritje të numrit të nxënësve në shkolla gjithëpërfshirëse dhe zvogëlim të numrit në Qendrat Burimore. Mungesa e të dhënave është pengesa kryesore në adresimin e nevojave të kësaj kategorie të fëmijëve, si dhe mungesa e përcaktimit të aftësisë së kufizuar që ata kanë”, thuhet në këtë dokument.

Mbledhja e të dhënave, theksohet si problem që bëhet më e vështirë sepse nuk ka harmonizim të mekanizmave dhe sistemeve mes ministrive.

Informatat, po ashtu thuhet se mblidhen në nivel shkolle dhe që mund të përdoret në të ardhmen për qëllime financimi, mund të mos jenë të besueshme pasi që i mungon dokumentacioni përkatës mbështetës.

“Edhe pse me akte ligjore është përcaktuar që çdo komunë të ketë ‘Ekipet komunale’ për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, shpesh, këta fëmijë identifikohen vetëm kur arrijnë moshën shkollore dhe përpiqen të regjistrohen në shkollë, e që ndërhyrja është tashmë shumë vonë për të pasur një ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin e tyre. Për më tepër, shumë shpesh praktikat ekzistuese nuk çojnë në plane të individualizuara që i përgjigjen dëmtimit të çdo fëmije dhe pengesave mjedisore. Një sfidë tjetër me të cilën përballen fëmijët, prindërit, por edhe shkollat, është numri i ulët i mësimdhënësve mbështetës dhe asistentëve të cilët punojnë më fëmijët me nevoja të veçanta arsimore. Gjithashtu, është hartuar pako dhe është realizuar harmonizimi i dokumentacionit pedagogjik për të gjitha qendrat burimore si dhe janë hartuar parametrat e financimit për nxënësit me aftësi të kufizuara”.

Prandaj, për fëmijët me aftësi të kufizuara, sipas kësaj Strategjie bëhet e ditur se sfidat mbeten në formë të qasjes së kufizuar në arsimin e përshtatshëm, në shërbime shëndetësore dhe riaftësuese dhe qasja pa barrierë në objekte dhe shërbime publike./Dijasot.com