17 Dhjetori, Dita e Shkollës “Sami Frashëri”

Më 17 Dhjetor 1941, filloi rrugëtimin e tij gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë, si institucioni i parë i këtij niveli në Prishtinë dhe Kosovë.

“17 Dhjetori është ditëlindja e gjimnazit tonë, ditë feste për familjen tonë, ditë për nisje të reja e reflektim mbi punën tonë të çdoditshme në përcjelljen e gjeneratave të reja nëpër procesin më të rëndësishëm të jetës së tyre. Në vigjilje të tetëdhjetë e dy vjetorit të themelimit të shkollës sonë për vizitë të premten më datë 15 dhjetor, patëm nënkryetaren e Komunës së Prishtinës Donjeta Sahatçiun si dhe Këshilltarin për Arsim të Kryetarit Roland Peraj të cilët moren pjesë në hapjen e ekspozitës me pikturat e krijuara nga nxënësit tanë për nderë të ditës së shkollës, ekspozitë e organizuar nga profesoresha Nora Jashari”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

Ekspozita u përcoll edhe nga interpretimi muzikor i nxënësit Eros Hysaj. Ndërsa nxënesja Suara Ismajli i dhuroj një pikturë nënkryetares.

Nënkryetarja së bashku me këshilltarin për arsim të kryetarit Rama, ishin pjesëmarrës edhe në promovimin e ueb-faqes së gjimnazit, i cili tashmë do të ketë një dritare të veten të komunikimit me publikun falë punës së jashtëzakonshme të nxënësve që angazhohen në Klubin Medial të shkollës sonë.Gjatë këtij takimi drejtoria e shkollës falënderoi të gjithë për angazhimin si dhe komunën për mbështetje, kurse nënkryetarja Donjeta Sahatçiu premtoi mbështetje të vazhdueshme për gjimnazin “Sami Frashëri”. /Dijasot.com