1000 fëmijë rrezikohen në një shkollë në Mitrovicë; autoritetet kosovare heshtin!

Ministria e Arsimit së Kosovës dhe Komuna e Mitrovicës po tentojnë ta mbajnë të fshehur skandalin që prek pozitë dhe opozitë. Ka 3 javë që mësimi është ndërprerë në shkollën “Ismail Qemali” dhe kjo nuk po merr vëmendjen e shtetit.

E gjithë vëmendja e Qeverisë së Kosovës është orientuar në dialogun me Serbinë dhe në veri të Mitrovicës, aty ku mekanizmat e sigurisë janë përqendruar për shkak të situatës së brishtë pas sulmit nga grupi terrorist serb në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe tentativave të reja të ekstremistëve serb për të hyrë në Kosovë.

Ndërsa në anën tjetër të qytetit të Mitrovicës, në jug, në rrezik për jetën janë rreth 1000 fëmijë.

Ata kanë ndërprerë shkollën që prej 3 javësh. Autoritetet lokale dhe ato qendrore të Kosovës po e neglizhojnë dhe nuk po veprojnë ta parandalojnë tragjedinë.

Pozitë dhe opozitë po bashkëndjejnë fajin, po bashkëjetojnë me të dhe po bashkëveprojnë që ta mbajnë larg opinionit.

Shkolla “Ismail Qemali” në lagjen Bair të Mitrovicës gjatë përurimit të së cilës para pesë vitesh pati përplasje në mes ish kryetarit të kësaj komune Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) se kush ta priste shiritin e inaugurimit dhe të merrte meritat për ndërtimin e shkollës , ka rrezikuar të shembet dhe të rrezikojë jetën e nxënësve.

Prindërve u është mbajtur fshehur se shkolla mund të shembet nga çasti në çast për shkak të ndërtimit të dobët. 

Të dy këto parti; PDK-ja që tani ka udhëheqjen e komunës së Mitrovicës (në kohën e përurimit të shkollës e kishte LVV-ja) dhe Vetëvendosja që udhëheq sot me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit (në kohën e nisjes së ndërtimit të shkollës e kishte PDK-ja Ministrinë e Arsimit), po e zvarrisin zgjidhjen e problemit.

A mos duhet të reagojnë autoritetet në Kosovë vetëm, larg o Zot, pasi të vdesin disa fëmijë?

Ky krim, që rrezikon jetën e fëmijëve të ciklit të ulët, prej moshës 5 deri në moshën 14 vjeç, është mbajtur fshehur prej muajsh.

Së fundi, shpërdorimi dhe korrupsioni gjatë ndërtimit doli sheshit, u tentua të mbulohet me perde dhe dizajne (fleta të mëdha) ku kanë punuar nxënësit duke i vendosur ato (perdet dhe punimet) nga stafi i shkollës mbi muret e plasaritura nëpër klasa.

Ka qenë moti i keq që e ka nxjerrë në shesh këtë skandal. Nga reshjet e shiut, uji ka depërtuar nga kulmi dhe në të gjitha muret nëpër klasa.

Kjo ka alarmuar prindërit të cilët i janë vënë pas identifikimit të gjendjes në shkollë. Ajo që kanë zbuluar i ka tronditur prindërit.

Për ‘Pamfleti’-n disa prej tyre kanë rrëfyer sesi janë ndjerë kur kanë kuptuar se shkolla çdo ditë e çdo orë rrezikon të shembet dhe ata askush nuk i ka njoftuar.

Një nga këta prindër tha për ‘Pamfleti’-n se ishte duke dërguar vajzën në shkollë kur dritarja u shkëput dhe ra para tyre. Madje, derisa po mbahej një mbledhje e prindërve, fillon shiu dhe që të gjithë e konstatuan se sa në rrezik paskan qenë fëmijët e tyre.

Pas gjithë kësaj, Shkolla doli me një njoftim që fëmijët të mbajnë mësim online, i cili edhe ai nuk mbahet me rregull. Shkurt fëmijët janë tash tri javë pa mësim”, thonë  prindërit në ankesat e tyre.

Pse Qeveria/Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Komuna e Mitrovicës nuk po veprojnë?

Pamfleti mëson se edhe KFOR-i i ka bërë një vlerësim objektit të shkollës përmes ekspertëve të tyre dhe ka konkloduar se shkalla e rrezikut që kjo shkollë të shembet është shumë e madhe.

Prindërve nga Drejtoria e Shkollës dje u është thënë se do të angazhohet një ekspert nga jashtë vendit për të vlerësuar cilësinë e ndërtimit në shkollë. Mirëpo, kjo nuk i pi më ujë më shtetit.

Prindërit kanë vendosur të protestojnë që nga e mërkura  dhe me gjithë fëmijët e tyre do të dalin në rrugë.

As pas tri javësh që është ndërprerë mësimi, asnjë hetim nuk ka nisur nga autoritetet e Kosovës.

Para 6 ditësh, Drejtoria e shkollës vetëm ka bërë të ditur se deri në njoftimin e radhës mësimi do të vazhdohet të zhvillohet online.

Para dy javësh, komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është ngritur një komision për verifikimin e gjendjes faktike në objektin e shkollës “Ismail Qemali”. Ndërsa ia ka hedhur topin Ministrisë së Arsimit e cila, sipas komunës, ka pasur përsipër menaxhimin e ndërtimit.

Gjatë dimrit secilit prind i janë kërkuar nga 20 euro për të blerë ngrohëse sepse ishte e pamundur nga të ftohtit të mbahej procesi mësimor, kurse kjo shkollë ishte promovuar si shkollë model me standarde të larta.

Më 2 shtator 2019, shkolla “Ismail Qemali” kaloi në këtë objekt të ri, projekt ky i realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i financuar nga Banka Evropiane dhe nga Komuna e Mitrovicës.

Ish kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, asokohe tha se u pengua nga disa mbështetës të Kadri Veselit derisa të ishte edhe ai në inaugurimin e shkollës “Ismail Qemaili”, në lagjen Bair.

Më 30 shtator 2015, gurthemelin për ndërtimin e shkollës së re të paraparë si një shkollë model, e vendosën kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Vlera e investimit për ndërtimin e shkollës kap vlerën rreth 1 milion e 863 mijë euro.  ‘Pamfleti’ mëson se objektit nuk i është bërë as pranimi teknik.