Tradhtia e intelektualëve

Çuditërisht, gjendja në shoqërinë tonë gjen një analogji në atë që e përshkruan Julien Benda në eseun e tij të njohur “Tradhtia e intelektualëve”, botuar më 1927…

Nga Dush Gashi

A është e mundur këtu të jesh apolitik? Të jesh thjeshtë jashtë çdo gjëje, anonim në çdo aspekt, jashtë kësaj politike të turpshme që ka vërshuar gjithë vendin, sistemit të vlerave që respekton hajdutët dhe diletantët dhe tallet me ndershmërinë dhe profesionalizmin… kjo është shpesh, në gjendjet e rishqyrtimit të vetvetes, përsiatjeve ose afektimeve të shkaktuara nga faktorë të jashtëm, dëshirë ose ëndërr e shumë prej nesh.

“Sikur të mund të zhdukesha diku, në ndonjë ishull të shkretë, t’i lija të gjitha shqetësimet prapa vetes, që askush të mos më pyesë asgjë”, janë vetëm disa nga ato dëshira të parealizuara kurrë, kur përditshmëria jonë e mbrujtur nga rrethana ekzistenciale dhe pamundësi që në to, në çfarëdo mënyre të ndikojmë, të çon deri te muri dhe skuadra imagjinare e pushkatimit.

Por, të jesh apolitik, pa sakrifica të mëdha dhe rreziqe sociale, është privilegj i pjesëtarëve të popujve të disa vendeve më të organizuara se i yni. Tek ne, për fat të keq, gjithçka është reduktuar në trivialitetin dhe banalitetin e politikës, kështu që në fakt më e keqja këtu është të mbetesh apolitik, i parreshtuar…

A ju duket se rreshtat e mësipërm e paraqesin besnikërisht gjendjen e shoqërisë së Kosovës, në të cilën kemi jetuar thuaja se gjithë këto vite të pasluftës?

Ne dhe rajoni

Nëse do të përgjigjeshit me “po”, atëherë po ju tregoj se në këtë tekst ka një falsifikim të vogël: është hequr emri Kroaci, vendi për të cilin flitet nga një shkrimtar i atjeshëm. Pse ngjan me Kosovën ky tekst i zgjedhur thuaja se rastësisht nga një portal kroat, shkaku qëndron në atë se, si në Kroaci, edhe pse ky vend tashmë është në BE, si në të tjerat më poshtë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjendja është pak a shumë e njëjtë. Me një dallim, megjithatë, të cilin duhet theksuar. Deri sa në këto vende ka ende shumë intelektualë, të cilët u hedhin shikim më të gjerë shoqërive të tyre, si shkrimtari i cituar, i cili i i vëren (dhe, sigurisht i vuan) pasojat e shtetit partiak dhe të metat tjera të shoqërive të sotme, intelektualë tanë as që kanë këso ndjeshmëria, as bëjnë përpjekje ta njohin deri në përmasat e vërteta rrënimin e shoqërisë sonë aktuale. Përkundrazi dhe, ç’është më e keqja, dukuritë shpesh i shohin nga optika e partive politike, në qoftë se edhe vetë nuk janë formalisht anëtar të ndonjë syresh.

Çuditërisht, gjendja në shoqërinë tonë gjen një analogji në atë që e përshkruan Julien Benda në eseun e tij të njohur “Tradhtia e intelektualëve”, botuar më 1927, ndërsa periudha për të cilën flet është gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në kohën e tij. Sipas këtij sociolgu francez, kjo periudhë është e veçantë për shkak se “me pasionet politike janë përfshirë më shumë njerëz se kurdoherë në histori”. Atë kohë gati se s’kishte evropian i cili nuk është kapluar nga pasionet raciale, klasore e kombëtare apo të trija përnjëherë. Sot, ndër ne, më shumë mund të flitet për pasionet partiake, ndërsa një lloj nacionalizimi, me shkrimet e shumëta për lashtësinë tonë, personalitetet e shquara të historisë dhe për humbjen e “trojeve etnike”, më shumë është shprehje e paefektshme e deziluzionimit me gjendjen e sotme, se sa ndonjë projekt nacionalist. Paralel me këtë ruhet edhe një frymë nihilizmi për gjithçka shqiptare dhe të dyja këto qasje janë dëshmia më e mirë e mungesës së shqyrtimeve racionale.

Benda, ndërkaq, faktori kryesorin pse pasionet politike ishin bërë aq universale, koherente, homogjene e të qëndrueshme e gjen tek gazetat e lira politike. Sado të duket e çuditshme, për shkak të distancës kohore, gati se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shoqërinë tonë, me dallimin se në tash kemi edhe televizionet, internetin e rrjetet shoqërore, të cilat na vërshojnë me politikë të ditës dhe vetëm sa i thellojnë polarizimet ekzistuese shoqërore.

Një shëmbëlltyre etike…?Në këtë mes, është e pamundur të mos vëhet në dukje dukuria e emisioneve të panumërta të debatit në televizionet tona po ashtu të panumërta, në të cilat, ndonëse janë të ndjekura shumë nga qytetarë, më së paku ka debat të lirë e dialog të vërtetë. Tashmë e dimë thuaja se për të gjithë “analistët” se kush çfarë qëndrimi do të përpiqet të imponojë si dhe anën e kujt e mban dhe prej kujt janë të porositura ato qëndrime, por ata vazhdojnë me të tyren.

Ajo që i katandisi intelektualët në kohën e Bendas, pothuajse i gjet edhe tonët. Benda habitej se, pos politkanëve, që i duan “të mirat e kësaj bote”, këtyre pasioneve u janë nënshtruar edhe ata që “për nga natyra e vokacionit të tyre, nuk synojnë në arritjen e qëllimeve praktike, por gjejnë gëzim duke u marrë me art apo shkencë ose në spekulimet metafizike, shkurt që kënaqen në të mirat jotokësore, duke theksuar pak a shumë këtë ‘Mbretëria jonë nuk është e kësaj bote’”.

Në qoftë se në kohë të sodit intelektualët janë zhveshur prej mistikës se “mbretëria jonë nuk është e kësaj bote”, megjithatë ndonjë shkrimtar, filozof e sidomos udhëheqësit e institucioneve të shkencës e të kulturës, do të duhej të ishin ngritur mbi narracionin e politikës së ditës, të kenë qëndrimet e tyre autentike ndaj realitetit tonë dhe pasioneve politike t’u përgjigjen – si porositë Benda – me të vërtetën dhe me drejtësi. Por, jo që nuk e bëjnë, por sot është zor të gjesh një shëmbëlltyre etike në mesin e intelektualëve, apo ndonjë i cili për pozitën të cilën e mban nuk duhet t’i falëderohet ndonjë partie politike. Është edhe më keq…

Një intelektual i rajonit vëren se, në kohën për të cilën flet Benda, në “tradhti” kishte njëfarë integriteti dhe ndershmërie intelektuale, ndryshe nga tradhtia e intelektualëve bashkëkohorë – duhet thënë si edhe te ne – që kanë zbritur në shkallën e përfituesve të paskrupullt. Pos që shumë intelektualë “i hëngri” politika, për disa të tjerë, jam më se i bindur se nuk bëzajnë për shkak se duan t’i ruajnë pozitat dhe sinekurën që siguron ajo dhe, gjithsesi udhëtimet në botë në tubime të ndryshme shkencëtarësh a njerëzve të kulturës.

Meqë e nisëm me shoqëritë tjera të Ballkanit Perëndimor, për të cilat duhet thën se, përkundër intelektualëve të tyre, të cilët nuk u janë dorëzuar “të mirave të kësaj bote”, e megjithatë as ato shoqëri nuk po emancipohen në shoqëri moderne – atëherë shtrohet pyetja sa ia vlen angazhimi i intelektualëve të tillë.

Ndoshta edhe për këtë e gjejmë përgjigjen te “Tradhtia e intelektualëve”:”Edhe pse i kanë vënë themelet e shtetit modern si formë e qeverisjes në të cilën mbizotërojnë egoizmat individualë, veprimtarëve të kësaj shtresë është para së gjithash teorike; ata nuk kanë mundur të pengojnë laikët që tërë historinë ta mbushin me urrejtje e thertore, por i kanë penguar në atë që veprat t’i shndërrojnë në religjione, që t’i përsosin duke besuar në madhësinë e tyre.

Duke iu falënderuar atyre mund të themi se njerëzimi gjatë dy mijë vitesh ka bërë të këqija por e ka lavduar të mirën. Ky mospajtim i të mirës me të keqen, e cila i shërben për nder njerëzimit, është plasaritja nëpërmes të cilës ia ka dalë të depërtojë e mira”.

Ndër ne, për fat të keq, kjo plasaritje thuaja se është mbyllur dhe, një shoqëri me intelektualët oportunë, nuk ka dyshim se edhe tërë shoqëria jonë është bërë tërësisht oportune. Shumica e njerëzve tanë besojnë se oportunizmi shpaguhet, vëren Boris Budeni, një filozof me origjinë nga rajoni ynë, por i ngritur intelektualisht në Evropë.

Shoqëri oportune

“Megjithëse pak kush e konsideron të bukur apo të madhërishëm, megjithatë gati të gjithë do të pajtohen se oportunizmi praktikisht është i dobishëm. Si për individin, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi”, shkruan ai në librin “Barrikadat”.

“Njeriu i cili di ta shfrytëzojë me shkathtësi oportunizmin e tij, duket se ka më shumë mundësi për sukses në shoqëri. Këtu gënjen pak, atje buzëqeshë me dyfytyrësi, lajkaton në çastin e duhur dhe në vendin e duhur e duron vetëpërçmueshëm përçmimin dhe interesat e tij tashmë janë realizuar. Me rëndësi është të mos i lëshojë kurrë udhë më të dobëtit dhe të mos e sfidojë kurrë më të fortin.” (…)Këtë përshkrim të vetive të një portunisti me fjalë të përafërta mund të gjejmë edhe në letrat shqipe. Por, duket se askush nuk ka parafytyrim kaq të plotë se si vërtet duket një shoqëri oportune:”Oportunizmi është shprehja më e thellë e asocialitetit, sepse shoqërinë e sheh në formën e saj të natyralizuar – si organizëm të huaj për njeriun, të cilin e drejtojnë forca të paparashikueshme, armiqësore, të cilat asnjë veprim njerëzor nuk mund t’i vë nën kontroll racional.

Njeriu oportunist qëndron para shoqërisë si para xhunglës, i paralizuar nga frika para rreziqeve të kobshme të saj. Dinakëria e dhelprës, shkathtësia e maces, zhdërvjelltësia e kameleonit, shkurt, vitaliteti shtazor, është i vetmi që i ofron njëfarë mundësie në jetën e reduktuar në luftën për ekzistencë dhe në botën e reduktuar në një ligj të vetëm – ligjin e më të fortit”.

Sigurisht, dikush, rëndom ata më të diturit e më të zotët, ngrihen mbi këtë nivel të vetëdijes. Dhe, kur ekzistojnë mundësitë, si do krijohen tash sidomos me heqjen e vizave për zonën Shëngen, edhe do të ikin me vrap prej kësaj shoqërie të rrënuar.

Për fund, dikush do të pyetet se çfarë janë ata intelektualë, të cilën nuk merren me çështjet e shoqërisë së tyre? A mund të quhen të tillë? A kemi vërtet intelektualë? E kuptoni, se, për fat të keq, keto janë pyetje retorike!