Përparim Rama prej drurit nuk e sheh malin, tani me kamera do i zë qentë?

Në vitin 2024 po hyjmë më frikë nga qentë endacak. Megjithëkëtë janë rritur shpresat e qytetarëve se pas vendosjes se kamerave të sigurisë nga Përparim Rama do të zihen qentë endacak që po i sulmojnë!!! Secili do ta njohim qenin që na ka kafshuar nga foto-Wanted dhe po nuk ikëm kur ta shohim në rrugë e paçim vetën në qaf.

EDITORIAL

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka lajmëruar se për herë të parë në Prishtinë, nga ky fillimvit do të vendosen kamerat e sigurisë me inteligjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, të cilat do të ndihmojnë që përmes policisë, të bëhet identifikimi i personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet, personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë.

Rama është shprehur se beson që vendim “do të ulë numrin e këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet”.

Ah, sikur të kishte bota një kryetar si Rama dhe jo NE. Sepse NE ka mundësi që këtij kryetari kaq të dijshëm nuk ia dimë vlerën, siç rëndomë njihemi si popull që nuk i vlerësojmë të diturit!

Por, ndonëse nuk e kanë këtë kryetar,  kryebashkiakët botëror amerikan, francez , gjerman, suedez…, mund të marrin mësim nga kryetari ynë Përparim Rama për të vendosur kamera sigurie dhe ulur kriminalitetin në qytetet e tyre. Dhe, madje nuk mund të thonë se Kosova është një vend i sapobërë dhe i pazhvilluar. Si mund ta thonë këtë vendet tjera kur ne u japim shembull me kamera të tyre që ata kanë shpikur.

Sidoqoftë krimi ekonomik, mjedisor, rrahje, vrasje….luftohet me ligj dhe ndëshkime.

Por, siç duket kryetari Rama ka vendosur t’ia ngjet dorën pak Xhelal Sveçlës (ministër i brendshëm) dhe t’ia dorëzojë “hajnat” duke kontribuuar sadopak në drejtësi, sepse Rama tashmë ka kryer punët e tij dhe ka vendosur t’i jap pak mësim këtij të fundit si vendoset siguria për qytetarët.

Sa janë të sigurtë banorët e Prishtinës? Na tregojnë – qentë

Prishtina është vendi më i ‘pushtuar’ nga qentë endacak. Dhjetëra raste janë shënuar gjatë vitit që shkoi ku qytetarët u sulmuan dhe morën ndihmë mjekësore nga qentë.

Prania e madhe e qenve endacak në rrugët e kryeqytetit është bërë tashmë e zakonshme e përditshmëri.

Fëmijë, gra shtatzëna, e qytetarë të shumtë u traumatizuan nga qentë endacak.

Në vitin 2024 ne hyjmë me frikë nga qentë endacak.

Tentimet e Komunës së Prishtinës për zgjidhje nuk dhanë rezultat.

Kryetari i Prishtinës në qershor të 2023, mori vendim që të subvencionohen me nga 50 euro në muaj të gjithë qytetarët që do të adoptojnë qentë endacakë në kryeqytet. Qytetarët mund të adoptonin deri në 5 qen. Rama pat thënë se secili nga qentë që adoptohet, do të jetë i pajisur me mikroçip dhe do ta ketë numrin e shënuar në kontratë.

Ndërsa, rrugët prapë janë të mbushura me qen.

Në kryeqytetin e Kosovës, llogaritet se janë diku rreth 10 mijë qenë endacak.

Rastet e raportuara ku fëmijë e të rritur pa dallim janë sulmuar nga qentë endacak sa kanë prekur ndërgjegjen e kryetarit Rama që të marrë masa serioze dhe jo iluzionare?!

Apo me këto kamera të sigurisë, Rama do të kap dhe qentë dhe do t’i dorëzojë në Polici për ndëshkim.

Secili do ta shohim në njoftime të policisë “ Wanted -Kërkohet filan qeni sepse në rrugën…,kafshoi këtë qytetarë”. Secili do ta njohim qenin që na ka kafshuar nga foto dhe po nuk ikëm kur ta shohim në rrugë e paçim vetën në qaf.

Sa zgjidhje e lehtë për qentë paska qenë. Ku ishte a thua deri tash kryetari?!!!